Qindra zjarrfikës në Greqi vazhduan përpjekjet të martën për të fashitur një zjarr masiv që ka përfshirë disa hektarë tokë në periferitë në Veri të Athinës dhe ka shkaktuar vdekjen e të paktën një personi.

Autoritetet thonë se trupi i një gruaje u gjet në rrënojat e një fabrike të djegur në Vrilissia, rreth 14 kilometra larg kryeqytetit grek. Është viktima e parë e njoftuar që kur shpërtheu zjarri të dielën pranë fshatit Varnavas, rreth 35 kilometra në veri të qendrës së Athinës. Zjarri u përhap në pyjet e thata me pisha dhe nga erërat e forta. Flakët arritën lartësinë 25 metra.

Mbi 700 zjarrfikës po marrin pjesë në operacion, me ndihmën e avionëve që po hedhin ujë për të fashitur flakët. Zjarri masiv ka shkatërruar shumë shtëpi dhe biznese dhe ka rrethuar Athinën me shtëllunga tymi dhe hi.

Bashkimi Evropian njoftoi të hënën se ka aktivizuar mekanizmin e mbrojtjes civile të bllokut me kërkesën e qeverisë greke, gjë që siguron më shumë zjarrfikës dhe pajisje zjarrfikëse.

Metereologët thonë se gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme të martën, pasi temperaturat pritet të arrijnë deri në të paktën 38 gradë Celsius dhe shpejtësia e erës pritet të arrijë nga 39 kilometra në 60 kilometra në orë.

Të hënën banorët në periferi të Athinës u urdhëruan të evakuohen. Rreth 380 oficerë policie ndihmuan me evakuimin dhe ndihmuan në zhvendosjen e mbi 250 personave.

Disa banorë që nuk ndoqën urdhrat e evakuimit, u bllokuan më vonë dhe u desh të shpëtoheshin nga zjarrfikësit.

Një shtëpi fëmijësh, një spital për fëmijë, një spital ushtarak dhe dy manastire u evakuuan të hënën.

Këtë verë, Greqia ka përjetuar muajt më të nxehtë në histori, pas dimrit më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë për këtë vend mesdhetar. Zyrtarët ia atribuojnë këto kushte ndryshimeve klimatike, që i kanë bërë zjarret në vend më të shpeshta dhe më të mëdha.

Situata e krijuar ka rikthyer kujtimet e zjarreve të vitit 2018 që shpërthyen në qytetin bregdetar të Matit, duke shkaktuar vdekjen e 104 personave.