Myftinia e Kumanovës ka njoftuar se më 19 tetor është nënshkruar marrëveshja për blerjen e rrugës që mundëson qasjen në Xhaminë “Koxha Mehmed Beu” në fshatin Tabanoc.

Rruga ka një sipërfaqe prej 529 metrash katrorë dhe gjerësi prej shtatë metrash, ndërsa vlera e blerjes është 26.450 euro. Sipas Myftinisë, pagesa është realizuar nga Husejn Bajrami, djali i hoxhë Nexhmedin Bajramit të ndjerë.

“Pagesa për blerjen e kësaj rruge u realizua nga z. Husejn Bajrami, duke dhënë një kontribut të çmuar në shërbim të xhamisë dhe besimtarëve”, thuhet në njoftimin e Myftinisë së Kumanovës.

Myftinia shprehu mirënjohje edhe për familjen Selmani nga fshati Llojan, me të cilën u nënshkrua marrëveshja, duke lutur Allahun që këtë kontribut ta pranojë si sadaka dhe vepër të mirë.

The post Blihet rruga për qasje në Xhaminë “Koxha Mehmed Beu” në Tabanoc, kontribut prej 26.450 eurosh first appeared on .