Gazetare: Ajnur Bafqari
Shtrenjtohen çmimet e derivateve. Sipas vendimit të Komisionit Rregullatorë për Energjetikë, nga mesnata, qytetarët do të paguajnë 2,5 denarë më shumë për një litër dizel, ndërsa 1 denarë më shumë për një litër benzinë.
Çmimi me pakicë i benzinës Eurosuper BS-95 arrin në 85,5 denarë për litër, ndërsa Eurosuper BS-98 gjithashtu shtrenjtohet për 1 denarë dhe do të shitet me 87,5 denarë për litër. Rritja më e madhe është regjistruar te dizeli (Eurodizel D-E V), çmimi i së cilës me aplikimin e rritjes prej 2,5 denarësh, shkon në 82,5 denarë për litër.
- EUROSUPER BS-95 – 85,5 denarë/litër
- EUROSUPER BS-98 – 87,5 denarë/litër
- EURODIZEL (D-E V) – 82,5 denarë/litër
Edhe vaji ekstra i lehtë për amvisëri (EL-1) shtrenjtohet për 2 denarë, me çmimin e ri prej 81,50 denarë për litër. Ndryshe nga derivatet e tjera, mazuti M-1 NS pëson ulje prej 0,265 denarë për kilogram, duke u shitur me 41,2 denarë për kilogram.
Nga KRRE bëjnë të ditur se korrigjimi i ri i çmimeve është rezultat i lëvizjeve në tregjet ndërkombëtare dhe kursit të këmbimit të denarit ndaj dollarit amerikan.
Opozita ka akuzuar vazhdimisht pushtetin që nuk ka arritur të mbrojë qytetarët nga rritja e çmimit të derivateve kurse qeveria vazhdon të pretendojë se vendi ka çmimet më të ulëta të derivateve në rajon. /Alsat.mk
The post Çmime të reja të derivateve, pas mesnatës qytetarët paguajnë më shumë për dizel e benzinë appeared first on Alsat.
