Byroja Federale e Hetimeve tha të martën se ka zbuluar 2400 dosje të reja që lidhen me vrasjen e Presidentit John F. Kennedy, ndërsa agjencitë federale punojnë për të përmbushur urdhrin ekzekutiv të Presidentit Donald Trump muajin e kaluar për të publikuar mijëra të dhëna. FBI-ja tha se po punon për transferimin e të dhënave tek Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Regjistrimeve për t’u përfshirë në procesin e deklasifikimit.

Në vitin 1992, Kongresi kishte urdhëruar që të gjitha dosjet e mbetura sekrete në lidhje me hetimin për vrasjen e ish Presidentit Kennedy duhet të hapeshin plotësisht për publikun përmes Arkivave Kombëtare pas 25 vjetësh, më 26 tetor 2017, me përjashtim të atyre që presidenti autorizoi të mbaheshin ende sekret.

Ndërsa shumica dërrmuese e koleksionit, ku përfshihen mbi 5 milionë faqe dokumentesh, janë bërë publike, hulumtuesit vlerësojnë se rreth 3,000 dosje nuk janë publikuar, pjesërisht apo në tërësi.

FBI-ja nuk tha se çfarë të dhënash përmbajnë dosjet e zbuluara. Në vitin 2020, Byroja Federale e Hetimeve hapi një qendër për dokumentacionin, duke filluar përpjekjet shumëvjeçare për grumbullimin dhe inventarin elektronik të çështjeve të mbyllura nga zyrat e saj në të gjithë vendin.

Agjencia tha se një inventar më gjithëpërfshirës i të dhënave dhe teknologjia e përparuar mundësuan gjetjen e dokumenteve në fjalë.