Steven Gerrard ka pranuar se ende e mundon fakti që nuk arriti kurrë ta fitonte Premier League me Liverpool-in, duke rrëfyer se rrëshqitja e famshme ndaj Chelsea i kthehet herë pas here në mendje. Legjenda e “Reds”, një nga mesfushorët më të mëdhenj në historinë e futbollit anglez, nuk arriti dot ta udhëhiqte klubin e zemrës drejt titullit kombëtar, pavarësisht karrierës së lavdishme në “Anfield”.

Në një intervistë për podcast-in “Rio Ferdinand Presents”, Gerrard foli me sinqeritet për gabimet e karrierës së tij: “Nuk e di çfarë më vjen më shpesh në mendje. Më pëlqen të kujtoj momentet e bukura; Stambollin, ndeshjen me Olympiacos, ‘FA Cup’…, por kur shoh ndonjë pasim të keq që kam bërë, një ndeshje të dobët me Anglinë apo një penallti të humbur, më vjen shumë keq. Rrëshqitja ndaj Chelsea më bën të ndihem keq po njësoj. Duhet të jetoj me të. A më vjen çdo ditë në mendje? Jo, por duhet të jem burrë dhe ta pranoj. Nuk mund ta ndryshoj.

Të gjitha momentet e këqija të karrierës sime më rikthehen ndonjëherë, por edhe ato të bukurat. Duhet ta marr të mirën e të keqen bashkë. E urrej të humbas ndeshje, e urrej të mos arrij objektivat. Jam këtu sot, ende pa fituar Premier League, kjo më rëndon. Si kapiten i Liverpool-it ndjeja se ishte përgjegjësia ime ta fitoja. Duhet ta pranoj këtë, por nuk jetoj i fiksuar me momente të veçanta. I përballoj kur vijnë, edhe pse më kthehen shpesh në mendje”.

The post Gerrard: Gabimi ndaj Chelsea ende më përndjek. Më bën të ndihem keq, por duhet të jetoj me të appeared first on Telesport.