Një paketë masash të reja, me theks në forcimin e mëtejshëm të sistemeve të informacionit për zbatimin më të shpejtë të kontrolleve, si dhe duke shqyrtuar mundësinë e ndërtimit të zgjidhjeve të përkohshme teknike për të lehtësuar rrjedhën e pasagjerëve dhe automjeteve.

Kështu u vendos në takimin e djeshëm të thirrur nga zëvendësministri i Brendshëm i Greqisë përgjegjës për rajonet e Maqedonisë dhe Trakisë, Konstantinos Goulekas, lidhur me situatën në pikat kufitare Kipi dhe Evzoni pas implementimit të sistemit EES.Në një takim të gjerë pune në Selanik me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve kompetente, shërbimeve të sigurisë dhe autoriteteve lokale, Gulekas theksoi se trafiku turistik dhe tregtar drejt Greqisë është vazhdimisht në rritje dhe “direktiva evropiane për kontrollin e të dhënave biometrike të çdo personi që hyn ose del nga vendi po krijon vonesa shtesë gjatë kontrolleve të nevojshme policore”.

Ai shtoi se takimi synonte gjithashtu të siguronte koordinim të plotë të të gjithë palëve të përfshira, ndërsa vendimet për masat e reja, pra forcimi shtesë i sistemeve të informacionit dhe mundësia e ndërtimit të zgjidhjeve të përkohshme teknike, siç u njoftua nga Ministria, “po transferohen menjëherë në terren”.

Më konkretisht, vizitat e ekipeve speciale në pikat kufitare Evzoni, drejt vendit tonë, dhe Kipi, drejt Turqisë, janë planifikuar për sot “me qëllim shqyrtimin e zbatimit të menjëhershëm të masave shtesë që u diskutuan në takim”.

Ekipet do të përfshijnë përfaqësues nga Administrata e Decentralizuar e Maqedonisë – Trakisë, nga periferitë e Maqedonisë Qendrore dhe Maqedonisë Lindore – Trakisë, nga policia, nga shërbimet doganore, si dhe nga bashkitë kompetente.

Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarëve, Michalis Chrysochoidis, tha dje nga Halkidiki se ata duhet të zbatojnë legjislacionin evropian, pasi Komisioni Evropian këmbëngul në zbatimin e plotë, dhe theksoi se ai kishte “marrë ankesa nga kolegët e tij nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia” në lidhje me sistemin EES.

The post Greqia shqyrton masa të reja për të zvogëluar turmat në kufi appeared first on Alsat.