Erling Braut Haaland (Leeds, 2000) po përgatitet të përjetojë Kupën e Botës për herë të parë. Me 16 gola në 8 ndeshje gjatë fazës kualifikuese, sulmuesi i Manchester City ndihmoi Norvegjinë të rikthehej në Botëror pas 28 vitesh.
“Kurrë nuk e kam përjetuar pjesëmarrjen e Norvegjisë në një Kupë Bote, ndaj ishte koha”, – tha 25-vjeçari. Pas 297 golave në 380 ndeshje me Bryne, Molde, Salzburg, Borussia Dortmund dhe Manchester City, ai do të debutojë në një turne madhor me kombëtaren, pasi mungoi në “Katar 2022” dhe në “Euro 2020” e 2024. Përvoja e tij e vetme ishte Botërori U-20 në vitin 2019, ku vendosi rekord duke shënuar 9 gola në fitoren 12-0 ndaj Hondurasit.
“Objektivi im më i madh ishte ta çoja Norvegjinë në Botëror. Kam punuar shumë për këtë dhe jam mjaft i lumtur që ia dolëm”, – u shpreh Haaland. Me 55 gola në 50 ndeshje për Norvegjinë, ai frikëson kundërshtarët. Trajneri i Irakut, Graham Arnold, tha: “Nëse arrijmë ta mbulojmë Haaland me 5 lojtarë, mund të kemi një shans. Është një futbollist absolutisht i jashtëzakonshëm”.
Ndihmësi i tij, René Meulensteen, shtoi: “Ka instinkt të jashtëzakonshëm për golin. Kam punuar me Ole Gunnar Solskjaer, por Erling është në një nivel tjetër”. Nga kampi norvegjez, Brede Hangeland beson se Haaland e ruajti energjinë në miqësoren ndaj Marokut: “E njohim Haaland. Ai di ta ruajë forcën për momentet që kanë më shumë rëndësi”.
Trajneri Ståle Solbakken zbuloi se sulmuesi është në formë të shkëlqyer: “Shënoi një supergol me volej nga 20 metra. Po të kishte goditur portierin Selvik, ai do të kishte vdekur. Për fat, topi përfundoi në trekëndësh. Është një nga futbollistët dhe golashënuesit më të mirë në botë. Të luajë një Botëror me një vend të vogël si Norvegjia do të mbetet kujtim i paharrueshëm për të”.
The post Haaland zbulon një “botë të re”: “Nëse e mbulojmë me 5 lojtarë, mund të kemi një shans” appeared first on Telesport.
