Kosova është e vetëdijshme se ndër vendimet që do të merren nga Komisioni i Disiplinës pranë UEFA-s do të jetë sigurisht humbja në tavolinë 0-3 pasi “braktisja” e ndeshjes konsiderohet si shkelje e rëndë ndërsa mund të ketë një gjobë të majme për Rumaninë dhe ndoshta ndeshje pa tifozë por vetëm kaq.

Por, Federata e Kosovës e di mjaft mirë se beteja ligjore mund të vazhdojë në istanca të tjera dhe kjo gjë mund të duhet edhe 1 vit deri sa të vijë një verdikt përfundimtar. Në fakt, delegacioni kosovar i futbollit është i prirur, sot për sot, ta çojë cështjen deri në gjykatën e pavarur të Lozanës në CAS për të kërkuar të drejtën ashtu si bëri Shqipëria në Beograd ku një ndër pikat e forta ishte “rrezikimi i sigurisë dhe jetës” për shkak të sjelljeve të tifozerisë në sektorin e tribunës pas porte (që janë dokumentuar se kanë hedhur sende në fushë dhe disa madje kanë tentuar të zbresin) por sidomos sepse thirrjet “Serbi Serbi” dhe “Kosova është Serbi” kanë provokuar më tej situatën pa qenë e nevojshme.

Në ndryshim nga rasti i Beogradit me dronin, në Bukuresht ka më pak fakte evidente dhe kjo mund të jetë kleçka ku do të kapej Federata Rumune e Futbollit, të cilët i janë kërkuar edhe audiot e stadiumit për të bërë një analizë të akustikës dhe sidomos të thirrjeve që kanë ardhur aty.

Një sekret është edhe i lidhur me delegatin që duhet të dorëzojë direkt raportin e tij të asaj nate dhe jo një tjetër dhe të modifikuar. Megjithatë, Kosova synon që për fyerjet racore dhe për thirrjet provokuese politike të ketë të drejtë dhe të dëshmojë në CAS nëse është e nevojshme.

Federata Rumune e Futbollit atë mbrëmje ka regjistruar të gjitha lëvizjet e Kosovës dhe madje edhe Konferencat e Shtypit dhe sidomos ka dërguar njerëz për të “spiunuar” pasi e frikësuar pikërisht me atë që mund të ndodhë në Lozanë pasi të dalë vendimi i Disiplinës së UEFA-s.

Sipas Andrei Vochin, këshilltarit të presidentit të Federatës Rumune të Futbollit, Razvan Burleanu, situata eshte kjo: “Nuk e dimë datën e saktë. Nesër do të dërgojmë dokumentet për mbrojtjen në këtë rast. Dyshoj se në një ose dy javë do të ketë një vendim. Nuk mund të bëhet kurrë në një kohë kaq të shkurtër (jo deri të hënën, në ndeshjen e radhës”, ka thënë Vochin për Digi Sport.

The post Kosova e vetëdijshme se ligjërisht do të humbë në tavolinë por… kujdes nga CAS dhe rasti “Beograd”. Rumania “spiunoi” gjithçka, kërkohen audiot e stadiumit dhe regjistrimet appeared first on Telesport.