Trajneri i PSG, Luis Enrique, i ka dhënë skuadrës disa ditë pushim për shkak të ndërprerjes së kampionatit. Kampionët e Francës janë në krye të renditjes së Ligue 1 pas fitores 1-0 ndaj Troyes. Trajneri spanjoll e cilësoi si të veçantë këtë sukses, i 11-ti radhazi për PSG.

Seria prej 11 fitoresh radhazi është e treta më e gjatë në historinë e klubit, pas një serie prej 12 fitoresh midis prillit dhe gushtit 2015, si dhe një serie prej 16 fitoresh midis dhjetorit 2015 dhe shkurtit 2016. Kjo është gjithashtu hera e dytë që Luis Enrique arrin 11 fitore radhazi në karrierën e tij si trajner, pasi e kishte bërë një gjë të tillë edhe me Barcelona, në vitin 2015.

“Njëmbëdhjetë fitore radhazi është diçka e mirë,” tha Luis Enrique, që më tej shtoi: “Ajo që bie në sy për mua është fakti se kemi arritur t’i fitojmë të gjitha ndeshjet tona në periudhën midis dy pushimeve për ndeshjet e ekipeve kombëtare. Është hera e parë që e arrijmë këtë”.

“Jam shumë i kënaqur, veçanërisht kur fitojmë ndeshje të këtij lloji si ndaj Troyes. Fitorja në këtë ndeshje ishte e veçantë, ashtu siç ndodh gjithmonë kur luajmë në fushën tonë”, tha Enrique. PSG i ka fituar pesë ndeshjet e fundit në shtëpi në të gjitha kompeticionet.

“Mënyra më e mirë për t’i treguar respekt kundërshtarit është të vazhdosh të luash në maksimum. Është si rasti i ‘All Blacks’ në regbi: ata e kryejnë ‘haka’ dhe më pas shndërrohen në makineri. Ky është mentaliteti që më pëlqen. Mund të jesh superior, pavarësisht rezultatit, por respekti qëndron te mënyra se si e luan futbollin“, tha Enrique.

Në lidhje me menaxhimin e skuadrës, tha: “Nuk kam bërë kurrë parashikime për të ditur se sa ndeshje do të fitojmë. Duhet të përshtatesh me çdo ndeshje dhe me çdo kundërshtar. Nuk e di se sa lojtarë mund të dëmtohen, ka shumë faktorë që nuk mund t’i kontrollosh. Ne mbetemi të përqendruar te e tashmja.”

The post Luis Enrique: Është hera e parë që arrij 11 fitore radhazi me PSG, kjo vjen kur respekton çdo kundërshtar appeared first on Telesport.