Trajneri i kombëtares së Italisë, Roberto Mancini, ka përpara dy ndeshje të rëndësishme në Nations League, kundër Francës (më 12 nëntor, në San Siro) dhe Belgjikës (më 15 nëntor, në Bruksel). Ai synon të mbrojë vendin e dytë në Grupin A dhe të sigurojë një vend në turneun final.
“Duke marrë parasysh situatën aktuale dhe mënyrën se si kanë shkuar gjërat në katër ndeshjet e para, kemi mundësinë të konkurrojmë për një vend në gjysmëfinale. Megjithatë, rruga është ende e gjatë dhe ka shumë punë për t’u bërë, kjo është e sigurt“, tha trajneri Roberto Mancini nga Coverciano.
Më tej, ai tha: “Disa klube u japin mundësi lojtarëve të rinj, të tjera jo. Është detyra jonë t’i kërkojmë dhe t’i thërrasim, në mënyrë që t’i njohim personalisht. Kjo është arsyeja pse po afrojmë lojtarë të rinj me aftësi të mira teknike. Besojmë se, në një të ardhme të afërt, ata mund të shndërrohen në lojtarë të nivelit të lartë“.
“Ne tashmë e dimë se çfarë mund të bëjnë Bernardeschi dhe Cristante; nuk ka nevojë t’i testojmë,” shpjegoi Mancini. “Do t’i thërrasim kur të kemi nevojë për ta. Për momentin, duhet të eksplorojmë opsione të tjera – lojtarë më të rinj që kanë nevojë të fitojnë përvojë.”
“Nuk jemi vetëm ne, çdo kombëtare përpiqet të afrojë lojtarë të talentuar që zotërojnë shtetësi të dyfishtë. Ndërkohë, kemi arritur të afrojmë Palma, i cili besoj se mund të shndërrohet në një mbrojtës vërtet të shkëlqyer. Ai kërkohej edhe nga Gjermania. Me të ia dolëm, ndërsa për lojtarët e tjerë do të shohim”, tha Mancini.
The post Mancini: Mund të arrijmë në gjysmëfinale, jemi ende në kërkim të lojtarëve të rinj e të talentuar appeared first on Telesport.
