“Delegacioni nga Maqedonia e Veriut, i udhëhequr nga kryeparlamentari Afrim Gashi, po qëndron në Vatikan dhe Romë në kuadër të manifestimit tradicional për Shën Kirilin dhe Metodin. Në kuadër të vizitës Gashi zhvilloi takim edhe me Papa Leon XIV në Selinë e Shenjtë dhe me Pietro Parolin, sekretarin shtetëror të Selisë së Shenjtë. Vizita po zhvillohet nën simbolikën e traditës, dialogut dhe respektit ndërfetar”, raporton gazetarja e TV21, Almedina Ismajli.

“Marrëdhëniet mes dy shteteve tona janë shumë të mira, në nivelin më të lartë të mundshëm dhe po shohim mundësitë që në të ardhmen t’i përmirësojmë dhe forcojmë këto marrëdhënie. Theksuam se dy shtyllat kyçe të marrëdhënieve tona lidhen me shënimin e Shën Kirilit dhe Metodit si dhe Nënë Tereza si një nga figurat që lidhin dy kryeqytet”, tha kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

“Vizita është domethënëse për shënimin e Shën Kirilit dhe Metodit. Pjesëmarrja e përbashkët e koordinatorëve të grupeve parlamentare e tregon edhe bashkimin me të cilin kemi ardhur këtu, të dërgojmë mesazh për bashkëpunim dhe përmirësim të gjendjeve në shtet”, u shpreh Nikolla Micevski – deputet i VMRO-DPMNE-së.

“Kuvendi sot përmes unitetit dëshmon për rëndësinë e iluministëve gjithësllavë, megjithatë edhe ky takim që kishim sot me Papën tregon për thellimin e marrëdhënieve dhe lidhjeve tona të përbashkëta si dhe mbështetjes së ndërsjellë”, potencoi Oliver Spasovski – deputet i LSDM-së.

Përkujtimi në nder të Shën Kirilit do të mbahet nesër në bazilikën “San Clemente” në Romë, ku delegacioni me klerikë të Kishës Ortodokse Maqedonase, të udhëhequr nga kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, Hirësia e Tij StefanI, do të mbajnë lutje përkujtimore pranë varrit të shenjtorit dhe krijuesit të alfabetit sllav. Për TV21, nga Vatikanni – Almedina Ismajli.