Pas tetë vitesh, Komiteti Ushtarak i NATO-s është rikthyer në Kiev, në një vizitë zyrtare ku morën pjesë përfaqësues ushtarakë nga të 32 vendet anëtare të aleancës.

Delegacioni i nivelit të lartë, i udhëhequr nga kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Giuseppe Cavo Dragone, mbërriti në kryeqytetin ukrainas më 6 tetor, në një kohë kur lufta dhe kërcënimi nga sulmet ruse vazhdojnë.

“Pas një ndërprerjeje tetëvjeçare, Komiteti Ushtarak i NATO-s po kthehet në Kiev për një vizitë zyrtare. Edhe pse nuk kemi qenë fizikisht të pranishëm këtu, Ukraina ka qenë gjithmonë në mendimet, diskutimet dhe vendimet tona”, deklaroi Cavo Dragone.

Gjatë vizitës, ai theksoi unitetin e aleancës përballë kërcënimeve të sigurisë ndaj vendeve anëtare.

Sipas Cavo Dragones, Rusia nuk do të mund ta cenojë unitetin e NATO-s përmes akteve të sabotimit, sulmeve kibernetike apo shkeljeve të hapësirës ajrore.

Vizita e Komitetit Ushtarak zhvillohet në një periudhë kur lufta në Ukrainë vijon, ndërsa NATO dhe vendet anëtare po forcojnë bashkëpunimin ushtarak dhe mbështetjen për Kievin.

Që nga nisja e pushtimit rus, vendet anëtare të NATO-s kanë ofruar ndihmë ushtarake, financiare dhe logjistike për Ukrainën.