Arben Taravari dje tha se 90 për qind e Aleancës për Shqiptarët janë në krahun e tij, përcjell TV21.

I pyetur nëse do të bashkohet me krahun e Ziadin Selës, Taravari tha se “shtëpia është e madhe” dhe se edh e Sela është i mirëseardhur. Për këtë sot reagoi Ziadin Sela, i cili shkroi:

“Sipas traditës dhe të drejtës zakonore shqiptare, shtëpia, nuk është thjeshtë objekti ku rri por është nam dhe identitet! Të madhe apo të vogël një derë e një shtëpi e bën zoti i shtëpisë. Nderi, besa, fjala e dhënë dhe e mbajtur, burrëria janë atributet që ky zot shtëpie duhet ti ketë. E kur nuk i ka, as shtëpi e derë nuk quhet, e jo më e madhe…”, tha Sela.

I pyetur për koment mbi deklaratat e Selës, Taravari tha:

“Problemi është që disa njerëz e kanë egon (krenari quajeni po të doni) aq të madhe sa ata dalin jashtë realitetit. Zakonisht këto lloj karakteresh me pa dashje dëmtojnë të tjerët por mbi të gjitha veten e tyre. Po, Aleanca për Shqiptarët është një derë e madhe dhe ka vend edhe për të vetmuarit që luten natë”, tha Taravari në përgjigje për TV21.