Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë njoftuar arritjen e një marrëveshjeje që synon t’i japë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, pas negociatave intensive të ndërmjetësuara nga Pakistani dhe të mbështetura nga disa vende të rajonit.

Marrëveshja parashikon ndalimin e operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e negociatave për një marrëveshje përfundimtare mbi programin bërthamor iranian.

Lajmi u bë publik nga kryeministri pakistanez Shahbaz Sharif, i cili deklaroi se dokumenti zyrtar do të nënshkruhet më 19 qershor në Gjenevë të Zvicrës, pas një serie takimesh teknike që do të zhvillohen gjatë javës.

Sipas Sharif, marrëveshja shënon fundin e operacioneve ushtarake në të gjitha frontet dhe hap rrugën për një proces diplomatik që synon stabilizimin e rajonit. Ai theksoi se ndërmjetësit do të punojnë për finalizimin e detajeve të zbatimit para ceremonisë zyrtare të nënshkrimit.

Nga ana e Teheranit, zëvendësministri i Jashtëm iranian deklaroi se negociatat kanë qenë të gjata dhe intensive, duke zgjatur rreth 14 deri në 15 orë. Sipas tij, pas diskutimeve të fundit me ndërmjetësit nga Katari, është finalizuar teksti i memorandumit që do të shërbejë si bazë për procesin e ardhshëm politik dhe diplomatik.

Menjëherë pas njoftimit të Pakistanit, presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se marrëveshja është arritur. Ai deklaroi se hapja e Ngushticës së Hormuzit do të realizohet pas nënshkrimit të dokumentit dhe pas përfundimit të masave të sigurisë në zonë.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit, ndaj rihapja e saj shihet si një zhvillim me ndikim të madh për tregjet globale të energjisë.

Sipas informacioneve të publikuara, marrëveshja parashikon armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, heqjen graduale të bllokadës detare, nisjen e negociatave 60-ditore për programin bërthamor iranian, si dhe krijimin e një mekanizmi monitorimi për zbatimin e angazhimeve nga të dyja palët.

Teherani ka bërë të ditur se gjatë negociatave do të kërkojë heqjen e sanksioneve ekonomike, rikthimin e aksesit në fondet e ngrira jashtë vendit dhe garanci për mosndërhyrje në punët e brendshme të Republikës Islamike.

Megjithatë, Uashingtoni ka sqaruar se çdo lehtësim ekonomik do të varet nga respektimi i detyrimeve që do të marrë Irani në kuadër të marrëveshjes. Zyrtarët amerikanë kanë mohuar pretendimet se miliarda dollarë fonde të ngrira do të lirohen menjëherë pas nënshkrimit.

Edhe pse marrëveshja shihet si një hap i rëndësishëm drejt uljes së tensioneve, presidenti Trump paralajmëroi se çështja e programit bërthamor mbetet vendimtare. Ai deklaroi se nëse Teherani nuk arrin një marrëveshje të kënaqshme për Uashingtonin, SHBA mund të rikthejë masa të forta presioni, përfshirë edhe opsione ushtarake.

Ndërkohë, njoftimi i marrëveshjes ka sjellë reagime pozitive në arenën ndërkombëtare. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e cilësoi atë si një hap kritik drejt paqes në Lindjen e Mesme, ndërsa vendet kryesore evropiane shprehën mbështetje për procesin diplomatik dhe gatishmërinë për të kontribuar në zbatimin e tij.

Ndikimi i parë u reflektua edhe në tregjet e energjisë, ku çmimet e naftës shënuan rënie të ndjeshme pas lajmit për armëpushimin dhe perspektivën e rihapjes së plotë të Ngushticës së Hormuzit.

Tashmë vëmendja është përqendruar te takimet e ardhshme në Gjenevë, ku pritet të përcaktohen hapat konkretë që do të vendosin nëse kjo marrëveshje do të shënojë fundin e konfliktit apo vetëm një armëpushim të përkohshëm mes Uashingtonit dhe Teheranit./tch.

The post SHBA-ja dhe Irani bien dakord t’i japin fund luftës/ Çfarë e pret Ngushticën e Hormuzit? appeared first on Alsat.