Cili është më i fortë, Malen apo Lautaro? Ndoshta do ta mësojmë vetëm në fund të karrierave të tyre, por tashmë ndeshja e sotme mund të na japë një tregues të parë. Më e lehtë është t’i përgjigjemi një pyetjeje tjetër: A mund të luajnë bashkë këto dy fenomenë? Po, mund të luajnë, për disa arsye: janë dy fenomenë, pra nuk janë thjesht dy qendërsulmues të mëdhenj, por mbi të gjitha dy lojtarë të mëdhenj të sulmit.

Pastaj sepse do të ishte kënaqësi t’i shihje duke shkëmbyer topin me njëri-tjetrin dhe, së fundmi, sepse janë dy lojtarë që nuk ndalen kurrë. Mund të ndodhë që Roma-Inter të mos përkthehet vetëm në duelin Malen-Lautaro, por pa përballjen mes qendërsulmuesve kjo ndeshje do të humbiste shumë, madje tepër.

Malen dhe Lautaro, golat – E nisim nga një e dhënë objektive, golat. Që nga debutimi i tij në Serie A, më 18 janar të këtij viti në Torino, me Romën që fitoi 2-0 ndaj “granatave” dhe ai shënoi menjëherë, Malen ka realizuar 20 gola në 22 ndeshje kampionati. Në të njëjtën periudhë, Lautaro ka arritur në 9 gola, por në vetëm 13 ndeshje. Mesatarja favorizon lehtë lojtarin e Romës: një gol çdo 86 minuta, kundrejt një goli çdo 101 minuta për sulmuesin e Interit, i cili në fundin e sezonit të kaluar pati disa probleme fizike.

Roma-Inter është Malen kundër Lautaros – Sulmi i dy skuadrave ndryshon që në mënyrën e organizimit. Malen ka frymëzuesit e tij në krahë, dy trekuartistë: Dybala, Soulé ose Mora. Lautaro luan në çift me Thuram ose Pio Espositon dhe është ai që, duke u nisur pas lojtarit që luan si qendërsulmues, frymëzon sulmuesin e vërtetë të parë.

Malen dhe Lautaro kanë të njëjtën aftësi për ta orientuar pjesën e fundit të aksionit drejt korridorit më të lirë. Ata kanë një ndjeshmëri taktike që i dallon nga qendërsulmuesit klasikë. Kur mbrojtja kundërshtare është e ngjeshur, lojtari i Romës largohet nga vija e avancuar, zhvendoset në një krah dhe ndonjëherë tërhiqet deri në mesfushë, duke liruar hapësira. Kundër Fiorentinës, ai e mori me vete Dragusin, mbrojtësin që e markonte, nëpër gjithë “Olimpico”. Malen e bën këtë lëvizje kur e sheh të nevojshme.

Lautaro, ndërkohë, e bën pavarësisht situatës. Ky është roli i tij dhe ajo që i vjen më mirë: lidh mesfushën me sulmuesin, lëviz në shumë zona të gjysmës së fushës kundërshtare dhe kështu çrregullon markimet e paracaktuara. Nuk e di kurrë nëse duhet kontrolluar nga një mbrojtës apo nga një mesfushor.

Duelet në zonë – Ndonjëherë lind pyetja se përse argjentinasi duhet të mbërrijë në zonën e rreptësisë duke u nisur nga jashtë saj, me një gram më pak kthjelltësi dhe freski, kur dihet se brenda atyre 16 metrave është një “bishë”, njësoj si Malen.

Lautaro është më i fuqishëm, më shumë “shpatë” sesa “bisturi”, ndërsa e kundërta vlen për lojtarin verdhekuq, i cili gjithsesi nuk është aspak i dobët fizikisht. Asnjëri nuk është gjigant; asnjëri nuk arrin 180 centimetra. Malen i mungojnë dy centimetra, ndërsa Lautaros katër. Por koha e lëvizjes u mundëson të dyve të anulojnë diferencën në gjatësi me mbrojtësit.

Ata janë të rrezikshëm edhe në topat e lartë. Sa i përket teknikës, është e pamundur të zgjedhësh mes tyre: topi duket sikur përkëdhelet nga këmbët e tyre.

 

 

The post Shifrat e frikshme të Malen, furia e kapitenit Lautaro… Roma-Inter është supersfida juaj appeared first on Telesport.