Zëvendësministri i Arsimit Driton Sulejmani, ka deklaruar se shumica qeveritare mbetet stabile dhe nuk ka nevojë për vendime të nxituara sa i përket zgjerimit të saj me subjekte të reja politike apo deputetë. Në intervistën për Alsat, Sulejmani theksoi se qasja e VLEN-it në këtë drejtim është e kujdesshme, duke pasur parasysh vendimet e marra në Kongresin e fundit të këtij subjekti.
“Shumica qeveritare është stabile dhe në këtë drejtim nuk po nguteshim për të marrë vendime për inkuadrimin e ndonjë subjekti të ri politik apo deputeti në shumicë. Jemi të kujdesshëm, pasi në Kongresin e VLEN-it kemi votuar programin dhe parimet e qeverisjes”, deklaroi Sulejmani.
Ai shtoi se VLEN-i mbetet i hapur për zgjerim, por vetëm me ata që përfaqësojnë vlerat dhe programin politik të këtij subjekti. “Padyshim që jemi të interesuar ta rrisim fuqinë e VLEN-it me këdo që përfaqëson programin dhe vlerat tona dhe është i gatshëm të kontribuojë në realizimin e qëllimeve programore, si në nivel qeveritar ashtu edhe partiak. Megjithatë, nuk është diçka që duhet bërë me ngut”, u shpreh ai.
Sulejmani nënvizoi se dera e VLEN-it mbetet e hapur për individë dhe figura nga skena politike, përfshirë edhe ata që aktualisht janë pjesë e subjekteve të tjera, por që ndajnë të njëjtat vlera. “Ne nuk e mbyllim derën për askënd, përveç strukturave të stërvjetëruara dhe të korruptuara të BDI-së. Të gjithë të tjerët, përfshirë edhe individë brenda saj që janë profesionistë të dëshmuar, si dhe nga partitë e tjera, janë të mirëseardhur te VLEN-i”, theksoi Sulejmani./Alsat.mk.
The post Sulejmani: Shumica qeveritare stabile, VLEN-i i hapur për zgjerim me këdo që përfaqëson programin dhe vlerat tona appeared first on Alsat.
