Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Punëve Sociale nuk do të drejtohen më nga kuadro të VLEN-it. Me rikunstruimin e kabinetit, Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu nuk do të jetë më në këtë post. Por, me aq sa tha, kjo nuk e zhgënjen për të vazhduar dhënien kontribut në shoqëri. Tha se do të vazhdojë aty ku do të jetë nevoja.
Në vend të Aliut, në krye të Shëndetësisë vjen Sasho Klekovski, drejtor aktual i Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Në Fond drejtor do të bëhet Zllatko Perinski, deri më tani ministër i vetëqeverisjes lokale, vend të cilin e zë Ivan Stoilkoviq, që mbante postin e ministrit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.
E një tjetër emër që nuk do të jetë më pjesë e kabinetit qeverisës është Fatmir Limani, i cili ka muaj që i ka ndarë rrugët me VLEN-in, koalicion nga ku u propozua për postin e ministrit të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Po njëjtë si Aliu, edhe Limani, thotë se nuk do të ndalet këtu. Në një status të gjatë në Facebook, shkroi se misioni i tij në shërbim të qytetarëve vazhdon, pavarësisht sfidave politike.
“Atleti i maratonës është i vetëdijshëm që ndalesat janë vetëm për të shuar etjen dhe për të marrë energji për etapën tjetër”, tha Fatmir Limani.
Në vend të Limanit si ministër i Politikës Sociale vjen zëvendësministri i deritanishëm, Gjoko Vellkovski. E pasi VLEN-i nuk do të ketë më kuadrot e saj në këto dy resorë, Ministritë e reja me të cilat do të udhëheqë VLEN-i janë e Drejtësisë, e Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, dhe ministria e Kulturës dhe e Turizmit. Emrat final po pritet të definohen.
Nga ato që përfliten jozyrtarisht deri më tani, për ministra të rinj përmenden Jeton Shasivari në Drejtësi, Agon Ferati në Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe Sedat Sulejmani në Kulturë. Drejtësia deri më tani është drejtuar nga Igor Fillkov nga radhët e ZNAM-it, e cila në këmbim mori ministrinë e Bujqësisë.
“Konsiderojmë se në Ministrinë e Drejtësisë kemi krijuar rrugën e duhur, e kemi kryer punën dhe në përputhje me programin tonë në zgjedhje parlamentare, pranuam sfidë të re, e ajo është Ministria e Bujqësisë, sepse ishte ndër pikat tona kryesore – shtet i vetëqëndrueshëm. Nëse dikush konsideron se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe menaxhimit të ujërave është ministri e parëndësishme, mendoj se gënjehet”, tha Goran Minçev.
ZNAM po ashtu pritet të kenë një post shtesë, të një zëvendësministri, por që ende nuk është përcaktuar cilin.
