Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup dhe ekipet e SPB Shkup kanë kryer hetime në fshatin Kopanicë të Shkupit, ku është gjetur trupi i një gruaje 37-vjeçare me plagë nga arma e zjarrit në kokë.

Nga Prokuroria njoftuan se, me urdhër të prokurorit publik, trupi është dërguar për autopsi, ndërsa paralelisht po ndërmerren edhe masa të tjera për zbardhjen e plotë të rastit.

Pranë trupit është gjetur një pistoletë “Glock 19”, në pronësi të bashkëshortit të saj, bëjnë të ditur nga Prokuroria.

Bashkëshorti është ndaluar menjëherë, ndërsa Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër tij për veprën penale “Prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregti e paautorizuar me armë ose materiale shpërthyese”, sipas nenit 396 të Kodit Penal.

“Prokurori publik i paraqiti gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin dhe masa e paraburgimit është pranuar nga Gjykata”, njoftojnë nga PTHP.

Nga atje shtojnë se Prokuroria Themelore Publike Shkup dhe SPB Shkup vazhdojnë aktivitetet për hetimin e plotë të rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja.