Elbasani ka lënë pas 0-4 në javën e parë të “Final Four” ndaj Egnatias dhe është rikthyer sot te fitorja. Verdheblutë mundën 3-0 Dinamon në ndeshjen e dytë ta javës së dytë të “Final Four”, e luajtur në “Air Albania”.

Në minutën e 22-të, “Blutë” mbetën me një lojtar më pak pasi Bakary Goudiaby u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër ndaj Isi Manellarit.

Më pas, Elbasani shënoi dy gola të shpejtë për dy minuta me kamerunasin Blaise Tsague. Në minutën e 25-të, Karim Loukili kroson, Tsague shënon me kokë. Në minutën e 27-të, Jorgo Meksi bën një gabim fatal në qendër të mbrojtjes, përfiton Tsague dhe dyfishon shifrat.

Në minutën e 38-të, Elbasani shënon golin e tretë me Ibrahima Diallo. Pjesa e parë mbyllet 3-0 për verdheblutë. Ndryshe nga e para, pjesa e dytë ishte e qetë dhe ra ritmi i ndeshjes. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Elbasani fiton 3-0 dhe rikthehet në garë për titullin kampion.

Ndeshjet e javës së tretë dhe të fundit do të luhen më 31 maj. Vllaznia-Elbasani dhe Egnatia-Dinamo. Në rast se Egnatia fiton ndaj Dinamos shpallet kampion, pavarësisht si del Elbasani me Vllazninë, duke qenë se rrogozhinasit kanë fituar në ndeshjen direkte mes tyre.

The post “Final Four”: Elbasani “ringjallet” ndaj Dinamos dhe rifutet në garë për titullin kampion appeared first on Telesport.