Fjalët e thëna gjatë transmetimit të ndeshjes Francë-Senegal në televizionin argjentinas nuk kaluan pa u vënë re. Në qendër të kritikave është komentatori i “DirecTV Sports”, një prej transmetuesve zyrtarë të Botërorit në Amerikën e Jugut.

Sipas raportimeve të disa mediave, Pablo Giralt e cilësoi ndeshjen si “një sfidë mes dy vendeve afrikane” në fund të pjesës së parë, duke iu referuar origjinës së disa futbollistëve të Francës. Kjo deklaratë shkaktoi menjëherë reagime të shumta në rrjetet sociale dhe akuza për racizëm.

Çështja prek një temë shumë të ndjeshme. Franca prej dekadash konsiderohet një nga kombëtaret që përfaqëson më së miri multikulturalizmin, me lojtarë të lindur në Francë ose të natyralizuar, të cilët kanë rrënjë në vende të ndryshme të botës. Reduktimi i kombëtares franceze vetëm tek origjina etnike e disa futbollistëve konsiderohet një interpretim i shtrembëruar i realitetit sportiv dhe shoqëror.

Pamjet dhe videoja e komentit u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke rihapur debatin, ndërsa polemika po shoqëron fitoren 3-1 të Francës ndaj Senegalit në Botërorin 2026.

The post “Francë-Senegal, sfidë mes dy vendeve afrikane”; komentatori argjentinas shkakton “tërmet” appeared first on Telesport.