Gjykata Penale në Shkup ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar me burgim të përjetshëm katër personat e akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen brutale të 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi.

Të dënuarit janë: Ljupço Palevski, Velibor Manev, Bore Videvski dhe Vllatko Keshishev. Secilit prej tyre iu shqiptua dënim me burg të përjetshëm, ndërsa për veprën penale të rrëmbimit, gjykata caktoi dënim shtesë prej 10 vitesh burg për secilin.

Sipas aktakuzës, grupi kishte planifikuar rrëmbimin e Vanjës me qëllim për të detyruar familjen të paguajë shpërblim për lirimin e saj. Ndërsa rrëmbimi i Pançe Zhezhovskit në Veles kishte për qëllim marrjen e makinës së tij – një Citroën – që më pas të përdorej për rrëmbimin e vajzës në Shkup.

“Asnjë kryerës nuk mund të mbetet i pazbuluar pas kryerjes së veprave të këtilla penale mizore, se edhe përskaj vrasjes së planifikuar, edhe të Vanja Gjorçevskës dhe Panço Zhezhovskit, të akuzuarit janë zbuluar dhe kanë marrë dënimin e merituar me burg. Kjo është dëshmi se drejtësia del në sipërfaqe!”, tha Zhaklina Krstevska Josifovska, Prokurore.

Avokatët të pakënaqur nga gjykimi dhe do ta apelojnë! Konsiderojnë se u gjykua pa dëshmi dhe se gjykata vetëm përsëriti atë që prokuroria kishte në aktakuzë.

“Patjetër që do të ankohemi, megjithatë, siç nisi edhe përfundoi ky cirk, e shihni se pa asnjë dëshmi vetë prokuroria ishte konfuze edhe në fjalët përfundimtare, ku gjithë theksin dhe fokusin e  vuri tek babai”, shtoi Jovica Strashenovski, Avokat i Lupço Palevskit .

“Gjykata në vendim thotë se njeriu është vrarë në orën 10:30. Gjithë Maqedonia pa pamje se në 12:30h personi është i gjallë, në pompë të benzinës në Veles”, theksoi Bojan Manev, avokat i Bore Videvskit .

“Konsiderojmë se gjykata nuk i ka marrë në tërësi parasysh rrethanat lehtësuese, veçanërisht faktin se nëse s’do të ishte Keshishevi nuk do të ishin gjetur as trupat e as mënyra e rrëmbimit”, deklaroi Igor Efremov, avokat i Vllatko Keshishev.

Babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, i cili ishte i akuzuar për dhënie informacioni mbi lëvizjet e vajzës së tij, është shpallur i pafajshëm dhe do të lirohet nga arresti shtëpiak.

“Prokuroria nuk arriti të dëshmojë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se ai i ka kryer veprat për të cilat akuzohej, për çka gjykata e liron nga akuza”, tha Ivica Stefanovski, Gjykatës.

Avokati i Aleksandar Gjorçevskit tha se aktgjykimi për nga thelbi është e zbrazët sepse nuk u morën përgjigjet e çështjeve kryesore – pse është rrëmbyer dhe vrarë Vanja, pse me çdo kusht insistohej që, sipas tij, pa dëshmi, klienti i tij Gorçevski të përfshihet në proces?!

“A mos me përfshirjen e Aleksandrit në këtë proces, qëllimisht është bërë defokus nga ajo që duhej të ishte lëndë e hetimit, e ajo është ajo që e tha Velibor Manevski që nga dita e parë, më 06 dhjetor, se nga viti 2022 janë thurur plane dhe lista për rrëmbim dhe vrasje njerëzish”, pohoi Vladimir Tufekgjiq, avokati i Aleksandar Gjorgjievskit.

Por prokuroria Aleksandar Gjorçevskin ende e sheh si fajtor.

“Dy të akuzuar dhanë dëshmi se këtë fakt ata e kanë marrë vesh nga babai, jo nga ndokush tjetër, nga babai – i akuzuari Aleksandar Gjorçevski, përmes Palevskit. Të mos e dinin se atë ditë fëmija do të shkonte vetë në shkollë, nuk do të kishte as rrëmbim, sepse s’është e mundur, e as përfundim të tillë. Prokuroria nuk mund ta tejkalonte këtë fakt”, pohoi Ana Jovanoviq Dimitrovska, Prokurore.

Trupat e pajetë të Vanjës dhe Pançes u gjetën më 3 dhjetor 2023, pas disa ditësh që ishin raportuar të zhdukur – Vanja më 27 nëntor dhe Pançe më 24 nëntor. Gjykatësi Ivica Stefanovski deklaroi se të dënuarit do të mbeten në paraburgim deri në marrjen e formës së prerë të vendimit gjyqësor.